Le të zbresë tani nga kryqi, që të shohim e të besojmë
Ungjilli sipas Markut 15:32
Këtë e thanë disa njerëz që po vështronin Jezusin në kryq duke vdekur.
Çuditërisht, sapo e lexuam këtë tekst, në tavolinën e bukës, pas darke, ashtu siç bëjmë thuajse çdo ditë, mu kujtua menjëherë e njëjta thënie, e përsëritur kushedi sa herë nga im atë: “po hë, le të më bëjë këtë Jezui yt, dhe do ta besoj. Hë pse se bën?”
E njëjta pyetje si atëherë dhe tani. Veç se kanë kaluar më shumë se 2000 vjet. Rëndom mendojmë se njeriu ka evoluar, ka ndryshuar, është bërë më i lexuar, etj. Ndoshta disa mund të thonë, ne s’mund të reagonim kurrë kështu si keta injorantë mesjetarë përpara një njeriu që po vdes. Po pyejta e tim eti më ushton në kokë akoma, dhe më thotë që njeriu përballë disa situatave ai nuk ka ndryshuar fare. Akoma më e çuditsme është se dhe sfondi apo biseda në të cilën shtrohet kjo pyetje gozhduese kishte në thelb të njëtën situatë si atëherë: talljen, përbuzjen kundrejt asaj që po ndodhte si rrjedhojë e mosbesimit.
Gjithmonë kam pyetur veten, nëse pranojmë që besimi vjen nga shikimi, sa duhet të shikojë njeriu që të besojë? Duhet patjetër që për të patur besim duhet të shohim në fillim? Po në lidhje me Perëndinë, duhet që ai t’u provojë njerëzve se çfarë është në gjëndje të bëjë?
Edhe pse në jetën time dhe të familjes sime, kanë ndodhur shumë gjera ku im atë mund të shikonte e të besonte, ai përsëri nuk beson. Kjo më çon përsëri mbrapa ne kohe, pikërisht aty te këta njerëz që flasin mes tyre, duke folur ndoshta me zë të lartë dhe duke mos kuptuar atë që po shohin.
Nuk e njihnin Jezusin? Ata sigurisht që kishin dëgjuar për të. Aq shumë kishin dëgjuar sa dhe e dinin dhe arsyen pse ai ishte dënuar, sepse ishte “Mbreti i Judenjve”. Kishin dëgjuar gjithashtu që ai ishte një profet. Po ashtu kishin dëgjuar se si ai u shpreh për tempullin, do ta rrëzoj dhe ndërtoj për 3 ditë.
Pra, ata e njihnin. Mirëpo edhe pse dinin kaq shumë, ata përsëri kërkonin një provë finale, atë provë që të përmbyste të gjitha te tjerat: le te zbresë nga Kryqi, të heqë gozhdët nga duart dhe këmbët dhe atëherë do ta besojmë.
E vërteteta është që ky njeri në këtë kryq i quajtur Jezus, po bën në fakt mrekullinë sublime, gozhduese, përmbushëse: I pafajshmi jep jetën për fajet e të tjerëve. Jezusi e dinte shumë mirë cili ishte misioni i tij. Ai në dashurinë e tij i paralajmëroi dishepujt e tij shpesh që ai kishte ardhur të kryqëzohej. Gjykatësi i tij nuk do të ishte njeriu, por Perëndia, krijuesi, dhe faji ishte rebelimi i njeriut nga krijuesi.
Pikërisht këtu u tregua dashuria hyjnore, më e lartë që mund të jetë ndonjë herë: të japësh jetën për të tjerët. Kryqi është altari, dhe Jezusi është qengji që duhej të flijohej. Çfarë dhimbje e madhe duhet të ketë qënë për Perëndinë, Atin e Krishtit, të shikonte gozhdët e kryqit në duart e Birit të tij. Kaq e madhe ishte dhimbja sa dhe qielli u shndërrua dhe u duk sikur bota po ndahej më dysh.
Ai që nuk kishte asnjë faj, ishte i vetmi që mund të bënte një sakrificë të tillë. Si qengji i pafajshëm…
Ai është aty për ty dhe për mua. Në vend të tij duhet të ishte ti dhe unë. Mos lejo dyshimin të të ngurtësojë zemrën, por shiko Jezusin që po jep jetën e tij që të kesh jetën, atë të vërtetë.
Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetën e amshuar. – Gjoni 3:16
Nuk ka dashuri më të madhe se të japësh jetën për miqtë. – Gjoni 15:13
Perëndia nuk e dërgoi Birin në botë për ta gjykuar botën, por që bota të shpëtohet nëpërmjet tij.
Kush beson në të nuk gjykohet, ndërsa kush nuk beson në të është gjykuar tashmë, sepse nuk ka besuar në emrin e Birit të vetëmlindur të Perëndisë. – Gjoni 3:17-18
Vargjet nga Bibla: BIBLA SHQIP 2018 “SË BASHKU” (www.bibles.org)
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale 2018