Po ta laj, ka për tu bërë prapë shumë e bukur
Isha në kopsht bashkë me Enian, vajzën time. Ajo po më ndihmonte të pastronim nga gjethet e shumta që me kohë ishin shpërndarë gjithandej. Përfituam nga një ditë e bukur me diell, ku 10 grade në shkurt dukej akoma e pabesueshme.
Dëgjova një klithmë gëzimi. Shiko, babi, thotë Enia. Unë ngrita kokën të shikoja çfarë ishte, dhe shikoj që ajo po gërmonte nga dheu diçka. E mori dhe me sytë që i ngazëllenin më thotë: babi gjeta një guaskë. Unë mendova, e sigurt është një guaskë e humbur nga ato që fëmijët kishin mbledhur në plazh herën e fundit që ishim.
Vazhdonte ti mbante sytë mbërthyer te guaska plot me dhe që kishte në dorë dhe thotë: po ta laj, ka për tu bërë prapë shumë e bukur!
Më bëri shumë përshtypje shprehja e saj. Nuk më shkulej nga mendja gjithë ditën.
A nuk është e mrekullueshme aftësia e saj fëminore për të parë mbrapa pisllëkut të guaskës?
Kjo shprehje përmblidhte jo vetëm admirimin e bukurisë së guaskës, por edhe, jo më pak e rëndësishme, kënaqësinë për ta pasur në duart e saj guaskën e vogël më një formë perfekte.
Mendimet nuk më linin të qetë.
Që një njeri të shikojë një gjë të pastër, të bukur, të gatshme dhe ta vlerësojë nuk është ndonjë arritje kush e di. Po aftësia të shikosh përtej asaj që ti ke përpara syve, atë që në të vërtetë fshihet pas fasadës, kjo po që është veti e rrallë.
Për shembull, a nuk ndodh kështu edhe me njerëzit e suksesshëm? Ata arrijnë të shikojnë një restorant të bukur pas një salle të rrënuar, apo një koleksionist pas një tablo me pluhur dhe e mbajtur keq, shikon një tablo të mjeshtrave të mëdhenj. Ose p.sh. një menaxher futbolli që shikon një futbollist të shkëlqyer pas një djali qe luan në rrugët e një lagje të varfër.
Sa herë ka ndodhur që shkencëtarë apo muzikantë të mëdhenj nuk kanë arritur të bindin mësuesit e tyre vetëm se këta nuk kishin largpamësinë për të parë talentin e tyre?
Pra të arrish të shikosh atë që fshihet pas fasadës, dhe sidomos kur kjo fasadë është ë mbushur nga mendime klisheje, është vërtet një arritje e madhe.
Në marrëdhënien me njerëzit ky problem bëhet akoma më domethënës. Shpesh ndodh që ne mbyllemi dhe ndrydhemi përpara shumë njerëzve sepse nuk na pëlqen apo na acaron diçka, p.sh. gjuha, kultura, ngjyra e tjetrit apo reagime që nuk i përshtaten sërës sonë. Dhe kështu ne humbasim vërtet mundësinë për të njohur njerëz të rrallë.
Sa herë ne vetë kemi qenë në situata të tilla ku duhet të konkuronim për një punë dhe jemi ndjerë të nënvlerësuar? Intervistuesi nuk arrin që nuk arrin të na kuptojë apo të shohë aftësinë tonë, të shohë se sa vlejmë në të vërtetë.
A nuk është dhe kjo cilësia qe karakterizon miqtë më të mirë? Janë ata që e dinë me të vërtetë se çfarë vlere kemi.
Çfarë vlere kemi? Po, vlerën që kemi. Sepse çdo njeri është me vlerë.
Fjalia që tha Enia është e njëjta fjali që thotë dhe Krijuesi kur shikon secilin prej nesh. Ai na njeh më mirë se kushdo tjetër. Ai e di vlerën tonë. Dhe jemi kaq të çmuar sa ai nuk e bën dysh, por është i gatshëm të na lajë nga çdo papastërti që ne kemi.
Sepse ne nuk jemi të përsosur. Ai na bëri të përsosur, por ne u larguam nga lavdia që ai na dha duke menduar që ia dalim vetë bane. Mirëpo vetë jeta jonë, gabimet tona, të qënurit larg tij, na bëjmë të jemi si ajo guaska e bukur por e humbur. E zhytur në baltë. Jo e vlerësuar.
Të them të drejtën vetë fakti që perëndia më shikon përtej aparencës dhe për atë unë kam vlerë, më mbush me gëzim. Unë vlej. Ti vlen.
Unë? Po ç’jam unë? Mund te mendoje ndonje : Unë s’jam asgjë, si mundet që ai të hedhë sytë te mua, të thjeshtin?
Në të njëjtën ditë, në ungjillin sipas Lukës lexuam se si disa engjëj me gëzim të madh u tregonin disa barinjve në kodrat përreth Betlehemit, se atyre u ishte lindur një shpëtimtar.
Disa barinjve? Po pikërisht barinjve. Barinjtë nuk ishin njerëzit më të kulturuar, madje ata edhe shpërfilleshin nga të tjerët sepse vinin erë. E pra pikërisht këta i pa Perëndia dhe tha, „këta për mua janë me shumë vlerë. Duhet t´ua them patjetër se ka lindur shpëtimtari i tyre. Tani ka ardhur koha që të bëjnë paqe me mua njeherë e përgjithmonë“.
Ai na merr në duart e tij dhe na thotë pikërisht, “po ti laj, do të bëhen prapë shumë të bukur”. Do të marrim shkëlqimin për të cilin jemi krijuar. Vetëm kështu do të marrim vlerësimin maksimal.
Dhe kush tjetër përveç krijuesit e di më mirë se çfarë vlere kemi? Kush më mirë se piktori e di vlerën e pikturës së tij? Dhe një pikturë përderisa piktori e ruan, ajo ka shumë vlerë për të.
Mirëpo, ashtu si ajo guaska në fillim, ne jemi të mbuluar nga mëkati. Duke mos qenë pranë mjeshtrit, pluhuri i rebelimit na ka zënë frymën. Duhet të pastrohemi mirë që të dalë në pah bukuria jonë e brendshme.
Kush më mirë se mjeshtri e di se si mund të pastrohemi? Nëse për çdo gjë tjetër shkon te restauratori dhe ai bën çudira, për brengat e shpirtit tonë dhe për asfiksinë tonë shpirtërore ka vetëm një zgjidhje dhe ky është pikërisht gjaku i birit të Perëndisë, i Jezusit. Kaq shumë Perëndia na do, kaq shumë na vlerëson, sa dha edhe birin e tij të vdesë në kryq. Lejoi që gjaku i tij të derdhet, dhe ne në fakt vetëm nga ky gjak mund të pastrohemi nga të gjitha shkeljet tona.
Përsosjen e arrijmë vetëm kur e lëshojmë veten 100 % te krijuesi jonë, duke pranuar papastërtinë tonë dhe duke besuar te forca çliruese në gjakun e Krishtit.
Vetëm kështu mushkëritë tona mund të çlirohen dhe të marrin frymë lirshëm. Vetëm kështu do të arrijmë të ndjehemi të vlerësuar, të dëshiruar përjetësisht.
Pa të, jemi të humbur si guaska e historisë sonë.
„sepse të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë lavdinë e Perëndisë. “
– Romakëve 3:23
Po të themi se nuk kemi mëkat, mashtrojmë veten dhe e vërteta nuk është në ne. Po të rrëfejmë mëkatet tona, Perëndia që është besnik dhe i drejtë do të na i falë mëkatet dhe do të na pastrojë nga çdo padrejtësi.
– 1 Gjonit 1:8-9
Ata u bënë të drejtë falas, me hirin e tij, përmes Krishtit Jezu, që i shpengoi nga mëkati.
– Romakëve 3:24
Atyre që e pranuan
dhe besuan në emrin e tij,
u dha të drejtën
të bëhen bij të Perëndisë.
– Gjoni 1:12
Ndërsa ju jeni fis i zgjedhur, priftëri mbretërore, komb i shenjtë, popull që Perëndia zgjodhi për të shpallur veprat e tij madhështore. Ai ju thirri nga errësira në dritën e tij të mrekullueshme.
– 1 Pjetrit 2:9